Historiku

 

 

 

Në një moment të rëndësishëm, kur shoqëria shqiptare, për të plotësuar kërkesat e tregut të punës kërkonte specialistë të profesioneve të ndryshme, pikërisht në vitin 2000 u krijua Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie” si një shkollë jo publike dyvjeçare me kohë të plotë, i ideuar, i mbështetur financiarisht dhe nën kujdesin e vazhdueshëm të Fortlumturisë së Tij Prof. Dr. Anastas Janullatos.

E veçanta e këtij institucioni qëndron në faktin se është ndër të parat shkolla jopublike profesionale të profilizuara në degët: Specialist për Llogari të Kompjuterizuara (Financë-Kontabilitet), Kuadër Menaxher (Menaxhim Biznesi), Informatikë (Informatikë e Zbatuar) dhe Laborant Mjekësor (Teknikë e Lartë në Laboratorë Mjekësorë), që bëri të mundur përgatitjen dhe afirmimin e më shumë se 1000 profesionistëve të rinj me njohuri bashkëkohore duke iu përgjigjur në këtë mënyrë kërkesave të tregut dhe duke i sjellë një dobi shoqërisë shqiptare në drejtim të kualifikimit dhe civilizimit të saj.

Praktika 10-vjeçare e funksionimit të këtij Instituti, si një vatër e përgatitjes së të rinjve me dije, kulturë dhe aftësi profesionale, ka vërtetuar një ecuri normale të Institutit, si shkollë e licensuar nga Ministria e Arsimit në përputhje me udhëzimet e Komunitetit Evropian, me plane dhe programe mësimore të shkollave simotra në Evropë, me staf të konceptuar sipas kërkesave të kohës, të kualifikuar, të vlerësuar dhe me disiplinë korrekte. Programi mësimor u ka ofruar studentëve në të gjitha degët edhe mësimin e detyrueshëm të dy gjuhëve të huaja, si dhe njohuri të thella të programeve kompjuterike, të konsideruara si kërkesa të kohës. Një peshë të rëndësishme të programit mësimor ka zënë edhe puna praktike, e cila kryhej në laboratorë të mirëpajisura që funksiononin në këtë Institut.

Tashmë Kolegji Universitar “LOGOS” që prej vitit 2010, ofron një model edukimi dhe specializimi bashkëkohor, në përgjigje të kërkesave të kohës për arsimin e lartë që garanton një formim bashkëkohor teoriko-praktik të studentëve në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” dhe ciklit të dytë “Master Profesional” në fushat e ekonomisë, teknikës laboratorike mjekësore dhe informatikës.