Organet drejtuese të Kolegjit Universitar “LOGOS”

___________

1. Organet drejtuese akademike:

Senati Akademik është organi kolegjial më i lartë akademik i Kolegjit Universitar “LOGOS”, përgjegjës për përmbushjen e misionit të tij. Ai përbëhet nga 7 anëtarë: kryesohet nga rektori, 5 anëtarë nga personeli akademik, të cilët zgjidhen nga Asambleja e Personelit Akademik, si dhe 1 përfaqësues i studentëve. Mandati i anëtarëve të Senatit Akademik është katërvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje midis anëtarëve të personelit akademik me kohë të plotë. Ndërsa mandati i studentit anëtar të Senatit Akademik është njëvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Senati akademik ka si detyrë:
  • Të garantojë autonominë e Kolegjit Universitar “LOGOS”, lirinë akademike si dhe të drejtat e studentëve
  • Të miratojë statutin e Kolegjit Universitar “LOGOS” mbështetur në Ligjin për Arsimin e Lartë, si dhe rregulloret e institucionit
  • Të garantojë Sigurimin e Brendshëm të Cilësisë në institucion
  • Të krijojë mekanizma për vlerësimin e veprimtarisë mësimore dhe kërkimore shkencore të personelit akademik
  • Të miratojë programet e reja të studimit që ofron institucioni.

Asambleja e Personelit Akademik përbëhet nga personeli akademik me kohë të plotë i njësive kryesore. Ajo zgjedh anëtarët e Senatit Akademik dhe në marrëveshje me Bordin e Administrimit, krijon dhe zgjedh anëtarët e komisioneve të përhershme të njësisë kryesore.

Rektorati është organ kolegjial drejtohet nga rektori dhe përbëhet nga:

Rektori, Zëvendës rektorët, Administratori, Drejtuesit e Njësive Kryesore, Kryetari i Komisionit për Sigurimin e Brendshëm të Cilësisë, Përfaqësuesi i Zyrës Juridike.

Rektorati kryen bashkëpunimin, marrëdhëniet me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit. Ai harton planin strategjik të zhvillimit të institucionit, mbështetur në propozimet e njësive bazë dhe kryesore të institucionit, si dhe ato që rrjedhin nga bordi i administrimit  apo  administratorëve dhe koordinon veprimtarinë e njësive kryesore. 

Dekanati është organ kolegjial vendimmarrës që programon e përcakton në bazë të propozimeve të departamenteve, veprimtarinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor të fakultetit.

Ai përbëhet nga: Dekani, Zëvendës dekani, Administratori i Njësisë Kryesore, Drejtuesit e Njësive Bazë dhe nga autoritete të tjera si: Përgjegjësit e Komiteteve Shkencore të Programeve Master, si dhe Përfaqësuesi i Këshillit Studentor.

Drejtues i Dekanatit është drejtuesi i njësisë kryesore. Mandati i anëtarëve të Dekanatit përcaktohet nga kontrata e punës. Dekanati harton planin strategjik të zhvillimit të njësisë kryesore mbështetur në propozimet e njësive bazë të tij dhe koordinon veprimtarinë e tyre.

Këshilli i Etikës është organ kolegjial vendimmarrës i cili promovon dhe mbron vlerat pozitive në komunikimin midis anëtarëve të personelit akademik e administrativ. Ai ngrihet pranë Kolegjit Universitar “LOGOS” si një strukturë e përhershme për të shqyrtuar sjelljen e personelit akademik dhe atij ndihmës, në rast të shkeljes të etikës dhe integritetit akademik.

Këshilli i Etikës merr në shqyrtim gjithashtu edhe sjellje të studentëve gjatë veprimtarisë së tyre mësimore e kërkimore në institucion, nëse ato përbëjnë shkelje të etikës së studentit.

Këshilli i Etikës përbëhet nga 5 anëtarë me përbërje: 2 anëtarë nga Këshilli Akademik, 2 anëtarë nga Këshilli Administrativ dhe 1 nga Këshilli Studentor.

Zgjedhja e Këshillit të Etikës kryhet përmes një proçedure me vetëkandidim dhe me miratim të senatit.

Këshilli i Etikës mblidhet sa herë ka çështje për të diskutuar brenda juridiksionit të tij. Ai merr vendim me shumicë të thjeshtë dhe i bën propozimet përkatëse Rektorit, duke njoftuar njëkohësisht edhe Bordin e Administrimit. 

Komisionet e përhershme janë organe kolegjiale, që kryejnë funksione në fushat e përcaktuara në statut, mbështetur në Ligjin 80/2015 neni 41. Anëtarët e tyre vetëkandidohen dhe më pas bëhet përzgjedhja nga Senati Akademik për një mandat dyvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Numri maksimal i anëtarëve të komisioneve dhe i vetë komisioneve, funksionet dhe organizimi i tyre përcaktohen në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë.

Komisioni i Përhershëm i Garantimit të Standarteve të Cilësisë së Institucionit dhe Programeve të Studimit.

Përbëhet nga 5 anëtarë: 2 anëtarë nga secili fakultet dhe 1 student. Zgjedhja e këtij Komisioni kryhet përmes një proçedure me vetëkandidim dhe me miratim të senatit akademik.

Komisioni i Mbarëvajtjes së Veprimtarisë së tij dhe marrëdhëniet me studentët në përputhje me misionin dhe politikat e institucionit.

Përbëhet nga 6 anëtarë: 2 anëtarë nga secili fakultet dhe 2 studentë. Zgjedhja e këtij Komisioni kryhet përmes një proçedure me vetëkandidim dhe me miratim të senatit akademik.

 

2. Organet drejtuese administrative:

Bordi i Administrimit

Bordi i Administrimit është organi më i lartë kolegjial administrativ, i cili kontrollon përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij.

Përbëhet nga të paktën 3 anëtarë me përbërje nga Fondacioni “LOGOS” dhe nga Senati i Kolegjit Universitar “LOGOS”.

Kompetencat e Bordit të Administrimit përcaktohen në Statutin e Kolegjit Universitar “LOGOS”.