KOLEGJI UNIVERSITAR JOPUBLIK LOGOS

STATUT 

KOLEGJI UNIVERSITAR JOPUBLIK 

“LOGOS”

 

Miratuar nga Senati Akademik i Kolegjit Universitar «Logos»

 

 

Tiranë  2017 

 

 

 

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Statusi i institucionit 

Kolegji Universitar “LOGOS” funksionon në bazë të Ligjit Nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, Vendimin Nr. 1055, datë 29.07.2009, të Këshillit të Ministrave «Për  licencimin e Shkollës së Lartë Private «Logos», si edhe bazuar në aktet e tjera ligjore e nënligjore të dala në zbatim të Ligjit Nr. 80/2015. 

Kolegji Universitar “LOGOS” është person juridik privat i njohur nga Legjislacioni Civil dhe Tregtar shqiptar, i regjistruar në regjistrin e organizatave joftimprurës me Vendimin Nr. 284, datë 26.06.2008, dhe Vendimin Nr. 284/1, datë 22.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, në emër të Fondacionit “LOGOS”.

 

Neni 2

Emri, stema dhe selia e institucionit 

Institucioni i Arsimit të Lartë me statusin e Kolegjit Universitar do të njihet me emrin “LOGOS”. Ai ka stemën e tij dalluese të institutit e cila përbëhet nga dy rrathë bashkëqendrorë, në pjesën e sipërme të hapësirës midis qarqeve të të cilave janë shkruar fjalët «KOLEGJI UNIVERSITAR» dhe në pjesën e poshtme fjala «LOGOS», ndërsa në rrethin e vogël ndodhet figura e një pëllumbi të vendosur mbi dy vija në formë kryqi.

Stema i bashkëlidhet këtij statuti si “Shtojca I” dhe është pjesë përbërëse e tij. 

Selia e Kolegjit Universitar “LOGOS” ndodhet në në adresën: Rruga «Dritan Hoxha», Pallatet «Komfort», përballë Pallatit të Sportit «Asllan Rusi», Tiranë.

 

Neni 3

Misioni dhe qëllimi 

Kolegji Universitar “LOGOS” ka për mision:

  1. të zhvillojë dijet, përmes mësimdhënies e kërkimit shkencor, në të mirë të përgatitjes me nivel bashkëkohor të studentëve;
  2. të ofrojë mundësi të mira për të përfituar nga arsimi i lartë dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës;
  3. të kontribuojë në mbështetje të prioriteteve strategjike dhe interesave të zhvillimit të vendit;
  4. të integrojë mësimdhënien me kërkimin shkencor. 

Në funksion të përmbushjes së misionit të tij, Kolegji Universitar “LOGOS” me këtë statut sanksionon parimet e funksionimit të tij, strukturën, organet drejtuese dhe autoritetet drejtuese me kompetencat e tyre, organizimin e punës mësimore, shkencore, financiare e administrative, procedurat e pranimit dhe diplomimit të studentëve, mënyrën e rekrutimit të personelit akademik dhe administrativ me detyrimet e të drejtat e tyre, si dhe të drejtat dhe detyrimet e studentëve. 

Kolegji Universitar “LOGOS”, në të gjithë veprimtarinë e tij, ka për qëllim:

  1. të përgatisë specialistë të lartë me dije të nivelit bashkëkohor në programet e studimit dhe profilet përkatëse të miratuara nga ministria përgjegjëse për arsimin.
  2. të kryejë studime e kërkime shkencore në fushat dhe sektorët që mbulon, në bashkëpunim me institucione homologe e sipërmarrje private.
  3. të hyjë në marrëdhënie bashkëpunimi me institucione të arsimit të lartë, brenda e jashtë vendit, me synim edhe bashkë-realizimin e programeve të studimit dhe lëshimin e diplomave të përbashkëta apo/dhe të dyfishta. 

Traditat më të mira morale, kulturore, historike, arsimore dhe shkencore  të vendit, janë baza e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor të ndërthurura me standardet dhe arritjet më të mira ndërkombëtare në përgjithësi dhe ato europiane në veçanti. 

 

Neni 4

Liria akademike dhe autonomia 

Kolegji Universitar “LOGOS” me ligj gëzon liri akademike, autonomi financiare, organizative dhe të përzgjedhjes së personelit.

  1. Liria akademike i garantohet nëpërmjet së drejtës:
  2. për të organizuar veprimtaritë e mësimdhënies, ato të kërkimit shkencor si edhe veprimtaritë krijuese;
  3. për të hartuar dhe zhvilluar programet e studimit dhe për të përcaktuar fushat e kërkimit shkencor;
  4. për të organizuar procesin e promovimit të personelit akademik.
  1. Autonomia financiare garantohet nëpërmjet së drejtës:
  2. për të krijuar të ardhura të ligjshme nga veprimtaria e mësimdhënies, nga veprimtaritë kërkimore-shkencore, nga shërbimet etj;
  3. për të përfituar fonde nga shteti dhe organizata të tjera;
  4. për të caktuar rregulla të brendshme të financimit dhe të përdorimit të të ardhurave;
  5. për të përcaktuar tarifat e studimit.
  1. Autonomia organizative dhe e përzgjedhjes së personelit garantohet nëpërmjet të drejtës:
  2. për të vetëqeverisur, për të përzgjedhur organizmat drejtuese, për të organizuar strukturat dhe rregulluar mënyrat e ushtrimit të veprimtarisë së tyre nëpërmjet akteve të brendshme (statutit dhe rregulloreve), të hartuara në përputhje me Ligjin Nr. 80/2015, si dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore në fuqi;
  3. për të përcaktuar kritere për pranimin e studentëve në programet e studimit në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore në fuqi;
  4. për të lidhur marrëveshje me persona juridikë, publikë dhe privatë, vendas ose të huaj, për veprimtari mësimdhënëse, kërkimore-shkencore, kualifikuese etj;
  5. për të caktuar në mënyrë të pavarur pagat e personelit, kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së tij. 

Neni 5

Detyrimet e Kolegjit Universitar “LOGOS” 

Duke gëzuar liri akademike dhe autonomi, sipas Ligjit Nr. 80/2015, Kolegji Universitar “LOGOS” angazhohet të përmbushë të gjitha detyrimet që burojnë nga ky ligj dhe aktet nënligjore në marrëdhëniet me ministrinë përgjegjëse për arsimin. Më konkretisht, detyrohet të përmbushë sa më poshtë, dhe jo vetëm:

  1. të zhvillojë procesin mësimor dhe veprimtarinë kërkimore-shkencore në programet mësimore të hapura pranë tij dhe të përgatisë specialistë të lartë në nivelin e kërkesave të kohës;
  2. në bashkëpunim me ASCAL, të kryejë brenda afateve të përcaktuara në ligj procesin e vlerësimit dhe akreditimit, i cili bëhet i njohur për publikun;
  3. të përballojë me shpenzimet e veta procesin mësimor;
  4. të paraqesë në MAS:
  5. raportin e veprimtarisë mësimore në çdo fundvit akademik;
  6. njoftimin për veprimtarinë kërkimore-shkencore në çdo fundvit kalendarik;
  • listën e personelit akademik në çdo fillimvit akademik dhe çdo semestër.
  1. të bëjë publike kuotat dhe kriteret e pranimit të studentëve në programet e studimit në ciklin e parë dhe në ciklin e dytë të studimeve.

 

Neni 6

Pasuria në pronësi dhe paprekshmëria e institucionit 

  1. Kolegji Universitar “LOGOS” e zhvillon veprimtarinë e tij në godinën “Pallatet KOMFORT” me auditore të përshtatshme dhe në kapacitete të mjaftueshme për numër studentësh. Godina me infrastrukturën dhe mjediset përreth saj, janë vënë në dispozicion të Kolegjit Universitar “LOGOS” nga Fondacioni themelues LOGOS.
  2. Të gjitha mjediset e Kolegjit Universitar “LOGOS” gëzojnë paprekshmëri në kuptimin e Ligjit. Mjediset e Kolegjit Universitar “LOGOS” nuk lejohet të preken apo cenohen nga të tretët. Paprekshmëria përfshin moslejimin e ndërhyrjes në mjedise apo të përdorimit të tyre nga çdo person tjetër fizik e juridik. Përjashtimisht, për rastet e kryerjes së një krimi flagrant dhe në rastet e një fatkeqësie natyrore, organet e Rendit Publik ndërhyjnë edhe pa lejen e rektorit apo të administratorit.
  3. Për çdo cenim të paprekshmërisë, Kolegjit Universitar “LOGOS” i lind e drejta e denoncimit të shkeljes dhe kërkimit të ndëshkimit të shkelësit sipas dispozitave ligjore në fuqi.

KREU II

NJËSITË PËRBËRËSE TË KOLEGJIT INIVERSITAR “LOGOS” 

Neni 7

Organigrama e institucionit 

Organigrama e Kolegjit Universitar “LOGOS”, me njësitë përbërëse të tij, që shpreh lidhjet dhe varësitë ndërmjet tyre paraqitet në “Shtojcën III” që është pjesë përbërëse e këtij statuti. Kolegji Universitar “LOGOS” përbëhet nga njësitë kryesore dhe njësitë bazë të secilës njësi kryesore.

Në strukturën organizative të Kolegjit Universitar “LOGOS” përfshihen edhe njësi të tjera përbërëse si:

  • Sekretaria Mësimore
  • Biblioteka
  • Zyra e Burimeve Njerëzore dhe Protokoll-Arkivi
  • Zyra e Marrëdhënieve me Jashtë, e Pranimeve dhe Këshillimit për Karrierë
  • Zyra e Financës dhe Shërbimeve 

KREU III

ORGANET DREJTUESE DHE ORGANE TË TJERA AKADEMIKE

 

Organe drejtuese dhe

organe akademike (0A)

Autoritete drejtuese

Institucioni

 

Ø  Senati Akademik

Ø  Këshilli i Etikës

Ø  Rektorati

Ø  Bordi i Administrimit

Ø  Komisione të Përhershëm (OA)

Ø  Rektori

Ø  Administratori i Institucionit

Njësitë kryesore

Ø  Dekanati

Ø  Asambleja e Personelit Akademik (OA)

Ø  Komisione të Përhershëm (OA)

Ø  Dekani

Ø  Administratori i Njësisë

Njësitë bazë

 

Ø  Drejtuesi (Përgjegjësi i departamentit/qendrës kërkimore-shkencore)

Seksioni 1

Organet drejtuese

Në Kolegjin Universitar “LOGOS” organet drejtuese janë: Senati Akademik, Këshilli i Etikës, Rektorati, Bordi i Administrimit dhe Dekanati.

Organe të tjera akademike janë: asambleja e personelit akademik në njësitë kryesore, si dhe komisionet e përhershme në nivel institucioni dhe në nivel të njësisë kryesore.

Neni 8

Senati akademik dhe funksionet e tij 

  1. Senati akademik është organi kolegjial më i lartë drejtues akademik i Kolegjit Universitar “LOGOS”, përgjegjës për përmbushjen e misionit të tij. Ai përbëhet nga 9 (nëntë) anëtarë. Sekretari i Senatit akademik nuk është anëtar i tij. Ai përzgjidhet prej rektorit nga stafi i punësuar me kohë të plotë.
  2. Me përjashtim të një anëtari që përfaqëson studentët e Kolegjit Universitar “LOGOS”, anëtarët e tjerë të Senatit Akademik, zgjidhen drejtpërdrejtë nga Asambletë e Personelit akademik me kohë të plotë të njësive kryesore, në përputhje me Ligjin Nr. 80/2015 dhe sipas procedurave të përcaktuara në Rregulloren e Zgjedhjeve të Kolegjit Universitar “LOGOS”.
  3. Anëtarë të Senatit i përkasin kategorisë “Profesor”, ose kanë gradën “Doktor” (“PhD”), të fituar pranë universiteteve të vendeve anëtare të OECD-se ose BE-së. Në mungesë të autoriteteve drejtuese me këtë titull dhe, për efekt të përfaqësimit, kategoria e tyre mund të zbresë në gradën “Doktor”. Një anëtar i Senatit Akademik përfaqëson studentët e Kolegjit Universitar “LOGOS”.
  4. Senati kryesohet nga rektori dhe mblidhet në seanca të zakonshme, si rregull, një herë në tre muaj. Senati akademik mund të mblidhet në seanca jo të radhës me thirrjen e rektorit, sa herë paraqitet e nevojshme një gjë e tillë.
  5. Mandati i anëtarit të Senatit është katër vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
  6. Mbledhjet e Senatit Akademik, si rregull, zhvillohen me prezencën e 2/3 të anëtarëve dhe vendimet merren me votimin me shumicë të thjeshtë të pjesëmarrësve në mbledhje. Statuti i institucionit dhe ndryshimet e tij miratohen me 2/3 e votave të anëtarëve të Senatit Akademik.
  7. Senati Akademik ka këto funksione kryesore:
  8. garanton autonominë e institucionit, lirinë akademike, si dhe të drejtat e studentëve;
  9. i propozon Bordit Drejtues të Fondacionit themelues “LOGOS” planin strategjik të zhvillimit të institucionit dhe miraton programin vjetor të veprimtarive të tij;
  10. miraton statutin e institucionit, pasi të jetë marrë miratimi paraprak i Bordit të Administrimit. E dërgon statutin në ministrinë përgjegjëse për arsimin, për miratim përfundimtar;
  11. harton strukturën e përgjithshme të institucionit, sipas kërkesave të Ligjit Nr. 80/2015 dhe e miraton atë, pasi të jetë konsultuar edhe me Administratorin e institucionit dhe i propozon Bordit të Administrimit numrin e personelit të Kolegjit Universitar “LOGOS” në të gjitha nivelet dhe strukturat;
  12. miraton rregulloret e Kolegjit Universitar “LOGOS”, rregulloret e njësive përbërëse të tij, rregulloret e programeve të studimit dhe akte të tjera që janë kompetencë e Senatit Akademik;
  13. miraton programet e reja të studimit, të kërkimit shkencor, ndryshimet në këto programe si edhe mbylljen e tyre, sipas kërkesave të Ligjit Nr. 80/2015;
  14. propozon mbylljen dhe riorganizimin e Kolegjit Universitar “LOGOS” si dhe bashkimin me një institucion tjetër të arsimit të lartë, pasi është marrë mendimi i Bordit Drejtues të Fondacionit Logos;
  15. miraton hapjen, riorganizimin ose mbylljen e njësive të Kolegjit Universitar “LOGOS” , sipas kërkesave të Ligjit Nr. 80/2015, duke marrë vlerësimin paraprak të Bordit Drejtues të Fondacionit themelues;
  16. miraton ndryshimin e emrit ose stemës së institucionit. Institucioni njofton ministrinë përgjegjëse për arsimin për këto ndryshime;
  17. miraton planin vjetor të veprimtarive akademike dhe kërkimore-shkencore;
  18. miraton raportin e detajuar vjetor të veprimtarisë së institucionit, të hartuar nga rektorati, dhe ia përcjellë ministrisë përgjegjëse për arsimin;
  19. vlerëson dhe garanton sigurimin e brendshëm të cilësisë në Kolegjin Universitar “LOGOS”. Anëtarët e kësaj njësie miratohen nga Senati Akademik, me propozimin e rektorit;
  20. miraton kuotat dhe kriteret e pranimit për programet e studimeve në Kolegjin Universitar “LOGOS”;
  21. në fund të çdo viti akademik organizon një mbledhje të përbashkët të Senatit Akademik me Bordin e Administrimit, ku diskutohet për veprimtarinë e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe atë financiare.

Neni 9

Këshilli i Etikës 

  1. Pranë Kolegjit Universitar “LOGOS” ngrihet Këshilli i Etikës, i cili promovon ose shqyrton çështje që lidhen me etikën në veprimtarinë e procesit mësimor dhe atij kërkimor, si edhe në veprimtaritë e tjera institucionale. Ai i raporton drejtpërdrejt rektorit.
  2. Këshilli i Etikës përbëhet nga tre anëtarë, të cilët propozohen nga rektori dhe miratohen nga Senati Akademik. Njëri prej tyre emërohet kryetar i Këshillit të Etikës. Anëtarët e këtij Këshilli kanë mandat dyvjeçar, me të drejtë ripërzgjedhje nga Senati Akademik.
  3. Anëtarët e Këshillit të Etikës janë përfaqësues nga stafi akademik, studentë dhe nga organe drejtuese të institucionit.
  4. Këshilli i Etikës shqyrton dhe merr vendime mbi çështje që parashtrohen nga personeli akademik, administrativ si dhe nga studentët e Kolegjit Universitar “LOGOS” dhe që lidhen me etikën e personelit akademik, personelit administrativ e të studentëve.
  5. Të drejtat, detyrat, organizimi dhe funksionimi i këtij këshilli përcaktohen në Rregulloren e Këshillit të Etikës, e cila miratohet nga Senati Akademik.

 

Neni 10

Bordi i Administrimit

  1. Bordi i Administrimit është organi më i lartë kolegjial administrativ i Kolegjit Universitar “LOGOS”, i cili garanton përmbushjen e misionit të institucionit, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij.
  2. Bordi i Administrimit përbëhet nga pesë anëtarë të punësuar me kohë të pjesshme. Anëtarët e përzgjedhur kanë mandat pesëvjeçar, me këtë përbërje:
    1. një anëtar nga stafi akademik dhe ndihmës-akademik, që përzgjidhen nga Senati Akademik, prej listave të propozuara nga njësitë kryesore;
    2. katër anëtarë nga jashtë institucionit, personalitete të spikatura kryesisht nga bota akademike, që përzgjidhen dhe emërohen nga Bordi Drejtues i Fondacionit themelues të Kolegjit Universitar “LOGOS”.
  3. Kryetari i Bordit të Administrimit zgjidhet, prej anëtarëve të përzgjedhur, në mbledhjen e parë të tyre. Rregullorja e funksionimit të Bordit të Administrimit hartohet nga vetë Bordi i Administrimit dhe miratohet nga Bordi Drejtues i Fondacionit themelues të Kolegjit Universitar “LOGOS”.
  4. Bordi i Administrimit cakton/miraton edhe një sekretar, i cili nuk është anëtar i këtij bordi. Ai është pjesë e stafit të punësuar me kohë të plotë në Kolegjin Universitar “LOGOS”.
  5. Autoritetet drejtuese (rektori, drejtuesit e njësive kryesore, drejtuesit e njësive bazë dhe administratorët) nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Administrimit. Autoritete drejtuese të caktuara mund të ftohen të marrin pjesë në mbledhjet e Bordit të Administrimit, sipas problematikave për sektorët që mbulojnë.
  6. Bordi i Administrimit ka këto funksione kryesore:
  7. garanton qëndrueshmërinë financiare të institucionit dhe përmbushjen e misionit të tij;
  8. jep mendim për projekt-rregulloren e Kolegjit Universitar “LOGOS” dhe miraton rregulloren financiare të tij;
  9. përcakton rregullat për shpërndarjen e të ardhurave që siguron institucioni nga ushtrimi i veprimtarive të tij, si edhe mbikëqyr përdorimin e burimeve të financimit;
  10. është përgjegjës për caktimin e kritereve e të procedurave për punësimin e administratorëve dhe personelit administrativ, mbështetur në aktet e institucionit;
  11. emëron dhe shkarkon administratorin e Kolegjit Universitar “LOGOS”;
  12. miraton paraprakisht statutin e institucionit, para se t’i përcillet Senatit Akademik;
  13. miraton raportin e detajuar vjetor të veprimtarisë së institucionit, të hartuar nga Rektorati.

 

Neni 11

Rektorati 

  1. Rektorati është organ kolegjial që drejtohet nga rektori dhe përbëhet nga:
  2. rektori;
  3. zëvendës-rektori;
  4. administratori i institucionit;
  5. drejtuesit e njësive kryesore.
  6. Zëvendës-rektori është anëtar i personelit akademik me kohë të plotë që emërohet dhe shkarkohet nga rektori pas miratimit në Senatin Akademik. Zëvendës-rektori duhet të ketë kualifikimin e kategorisë “Profesor” ose gradën shkencore “Doktor” (“PhD”), të fituar pranë universiteteve të vendeve anëtare të OECD-së ose BE-së.
  7. Rektorati harton planin strategjik të zhvillimit të institucionit, mbështetur në propozimet e njësive bazë dhe njësive kryesore të institucionit, si dhe në propozimet e administratorëve.
  8. Rektorati mblidhet periodikisht çdo muaj dhe ka këto funksione:
  9. merr në analizë ecurinë dhe rregullsinë e regjistrimit të studentëve të rinj në vitin akademik të radhës, mbi bazën e raportimit të dekanëve. Në këtë mbledhje ftohen edhe sekretaritë mësimore të njësive kryesore;
  10. merr në analizë zhvillimin normal të procesit mësimor në auditore, duke asistuar në njësitë kryesore dhe njësitë bazë me të ngarkuarit e rastit nga zëvendës-rektori;
  11. merr në shqyrtim plotësimin e stafit akademik me kohë të plotë pune, sipas planit të zhvillimit institucional dhe kërkesave reale për numrin e studentëve që ndjekin studimet në programet që zhvillojnë njësitë kryesore;
  12. merr në analizë mbështetjen e procesit mësimor dhe shkencor nga administrata, me fonde e materiale të nevojshme.

 

Neni 12

Dekanati 

  1. Dekanati është organ kolegjial që drejtohet nga dekani dhe përbëhet nga:
  2. dekani;
  3. zëvendës-dekani/ët;
  4. drejtuesit e njësive bazë;
  5. administratori i njësisë kryesore. 
  1. Zëvendës-dekani është anëtar me kohë të plotë i personelit akademik dhe mban së paku, gradën shkencore “Doktor”. Ai emërohet dhe shkarkohet me urdhër të lëshuar me shkrim nga dekani.
  2. Dekanati harton planin strategjik të zhvillimit të njësisë kryesore, mbështetur në propozimet e njësive bazë të tij, si edhe ato të administratorit të njësisë kryesore.
  3. Dekanati koordinon tërë veprimtarinë e njësive bazë në përmbushjen e detyrave dhe funksioneve të vetë njësive bazë dhe në tërësi ato si njësi kryesore.
  4. Funksionet e dekanatit, por jo shteruese, janë:
  5. promovon dhe motivon kualifikimin e stafit akademik dhe atij shkencor në përmbushjen e detyrave dhe propozon shpërblime, sipas rastit, tek administratori i institucionit;
  6. orienton njësitë bazë të tij në rishikimin e programeve ekzistuese të studimeve, në ciklin e parë dhe në ciklin e dytë, si dhe mbështetë nismat e njësive bazë për hapjen e programeve të reja të studimit;
  7. i propozon Senatit Akademik për miratim, programet e studimit të rishikuara, ato të hartuara për t’u hapur të reja pranë njësisë kryesore, si dhe propozimet për mbyllje të programeve, kurdoherë mbështetur në propozimet dhe argumentet e bëra nga njësitë bazë.
  8. miraton orarin mësimor të paraqitur nga zëvendës-dekani. Orari mësimor afishohet së paku një javë para fillimit të procesit mësimor.
  9. përgatit raportin vjetor të veprimtarisë mësimore të njësisë kryesore për vitin akademik.
  10. përgatit raportin vjetor të veprimtarisë shkencore të stafit akademik të njësisë kryesore dhe të veprimtarive shkencore të kryera në bashkëpunim me institucione të tjera.
  11. kërkon raportime nga drejtuesit e njësive bazë për probleme të veçanta që dalin nga diskutimet në mbledhjet e dekanatit dhe/ose dërgon përfaqësues të dekanatit në takime me departamentet.

 

Neni 13

Asambleja e personelit akademik 

  1. Asambleja e personelit akademik është organ akademik i njësive kryesore të Kolegjit Universitar “LOGOS”. Ai përbëhet nga personeli akademik me kohë të plotë i njësive kryesore.
  2. Asambleja e personelit akademik të njësisë kryesore ka këto funksione, por jo shteruese:

2.1. Në rast organizimi të zgjedhjeve për organet dhe autoritetet drejtuese në Kolegjin Universitar “LOGOS” (të institucionit, të njësive kryesore dhe të njësive bazë):

  1. Zgjedh anëtarët e Senatit Akademik, me përjashtim të një anëtari që përfaqëson studentët e Kolegjit Universitar “LOGOS”,
  2. Voton për përzgjedhjen E kandidaturave, për Rektor të Kolegjit Universitar “LOGOS” dhe ia dërgon për miratim Bordit Drejtues të Fondacionit themelues.
  3. Voton për përzgjedhjen e kandidaturave për drejtuesit e njësisë kryesore të Kolegjit Universitar “LOGOS” dhe ia dërgon për miratim Bordit Drejtues të Fondcionit themelues.
    • Krijon Komisionet e Përhershme të njësive kryesore dhe zgjedh anëtarët e tyre.

 

Neni 14

Komisionet e përhershme 

  1. Komisionet e përhershme janë organe kolegjiale që ngrihen në nivel institucional dhe në nivel të njësive kryesore. Ato përbëhen prej pesë anëtarësh.
  2. Komisionet e përhershme në Kolegjin Universitar “LOGOS” që krijohen në nivel institucional janë:
    1. Komisioni i Përhershëm për garantimin e standardeve të cilësisë së institucionit dhe të programeve të studimeve;
    2. Komisioni i Përhershëm i mbarëvajtjes së veprimtarisë së tij dhe për marrdhëniet me studentët në përputhje me misionin dhe politikat e institucionit.
  3. Anëtarët e Komisioneve të përhershme vetëkandidohen dhe zgjidhen nga asambleja e personelit akademik të njësisë kryesore, me të drejtë rizgjedhjeje.
  4. Funksionet dhe organizimi i Komisione të Përhershme përcaktohen në rregulloret e Kolegjit Universitar “LOGOS”.
  5. Komisionet të tjera të përhershme në nivel institucioni apo njësie kryesore, mund të ngrihen me vendim të senatit akademik dhe kryejnë funksione sipas përcaktimeve në aktin e ngritjes dhe rregulloret e funksionimit të tyre.

 

Seksioni 2

Autoritetet drejtuese të Kolegjit Universitar “LOGOS” 

  1. Autoritetet drejtuese akademike janë: rektori i institucionit, drejtuesi i njësisë kryesore, drejtuesi i njësisë bazë (përgjegjësi i departamentit/ qendrës kërkimore-shkencore).
  2. Autoritetet drejtuese administrative janë administratori i Kolegjit Universitar “LOGOS” dhe administratori i njësisë kryesore.

 

Neni 15

Rektori 

  1. Rektori është autoriteti më i lartë akademik i institucionit, si edhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare.
  2. Rektori mban titullin “Profesor”, mund të vijë nga radhët e personelit akademik të institucionit ose jashtë tij.
  3. Rektori përzgjidhet nga Brodi i Administrimit dhe emërohet nga Bordi Drejtues i Fondacionit themelues, për një mandat katërvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
  4. Rektori drejton Senatin Akademik dhe raporton para tij. Ai jep llogari, gjithashtu, edhe para organit të emërtesës.
  5. Rektori i paraqet Senatit Akademik planin strategjik të zhvillimit të Institucionit.
  6. Rektori kryen edhe funksione të tjera, si:
  7. drejton rektoratin si organ kolegjial drejtues i institucionit;
  8. propozon, midis kandidaturave konkurruese, anëtarë të Senatit Akademik dhe drejtuesit e njësive kryesore;
  9. emëron stafin akademik dhe ndihmës-akademik në institucion;
  10. miraton rregulloret e brendshme të njësive në përbërje të institucionit.
  11. i paraqet për miratim Senatit Akademik anëtarët e Këshillit të Etikës dhe anëtarët e NjSBC, së bashku me rregulloret e funksionimit të tyre;
  12. bën të njohura, me shpallje në mjediset e institucionit, kriteret dhe procedurat e pranimit të studentëve në institucion, bazuar në kërkesat e Ligjit Nr. 80/2015, Udhëzimit të ministrit përgjegjës për arsimin, si dhe në kritere shtesë të miratuara në dekanate;
  13. miraton listën e studentëve të regjistruar, sipas programeve të studimit dhe veçmas për çdo njësi kryesore të para-miratuara nga përgjegjësi i njësisë bazë dhe dekani;
  14. vendos për përjashtimin nga institucioni të studentëve për raste që parashikohen në Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Kolegjit Universitar “LOGOS”;
  15. nënshkruan diplomat e studentëve dhe nuk mund ta delegojë këtë kompetencë;
  16. në Rregulloren e institucionit përshkruhen edhe kompetenca të tjera të rektorit.

 

Neni 16

Dekani

  1. Dekani është drejtues i fakultetit. Ai drejton dekanatin si organ kolegjial akademik i fakultetit.
  2. Dekani është autoriteti më i lartë akademik i fakultetit dhe përfaqësues i tij. Ai koordinon veprimtarinë e njësive bazë dhe të vetë dekanatit, si dhe zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet tyre.
  3. Dekani, përzgjidhet nga asambleja e personelit akademik të njësisë kryesore të institucionit dhe emërohet nga Bordi Drejtues i fondacionit themelues. Dekani, si rregull, është personel akademik i kategorisë “Profesor”.
  4. Mandati i dekanit zgjat katër vjet, si rregull, me të drejtë ripërzgjedhje vetëm një herë.
  5. Dekani i përcjellë Senatit Akademik, pas shqyrtimit në dekanat, propozimet e njësive bazë, të cilat i shoqëron me mendimet e tij.
  6. Dekani i propozon kandidaturat për drejtuesit e njësive bazë rektorit, si edhe kandidaturën për administrator të fakultetit tek administratori i institucionit.
  7. Dekani propozon masa deri edhe për shkarkimin e drejtuesit të njësisë bazë dhe të administratorit të fakultetit, përkatësisht te rektori dhe administratori i institucionit.
  8. Dekani kryen dhe funksione të tjera si:
  9. organizon regjistrimin e studentëve sipas programeve të studimit në fakultet, në përputhje me kriteret dhe procedurat e miratuara për këtë qëllim;
  10. mbikëqyr mbarëvajtjen e veprimtarisë mësimore dhe shkencore në njësitë bazë, duke koordinuar punët dhe bashkëpunuar me drejtuesit e njësive bazë;
  11. miraton komisionet e provimeve të formimit, e mbrojtjes së diplomave për programet e studimit;
  12. i propozon rektorit, për çdo vit akademik, listën e studentëve për t’u miratuar si të regjistruar për vazhdimin e studimeve në programet që mbulon fakulteti;
  13. i propozon rektorit përjashtimin e studentëve, për rastet e parashikuara në Rregulloren e Fakultetit;
  14. i paraqet rektoratit, për çdo vit, raportin për aktivitetin mësimor, shkencor dhe financiar të fakultetit, pas diskutimit dhe miratimit paraprak në dekanat;
  15. nënshkruan diplomat e studentëve të fakultetit dhe nuk mund ta delegojë këtë kompetencë.

Neni 17

Drejtuesi i njësisë bazë 

  1. Drejtues të njësive bazë janë drejtuesi i departamentit dhe drejtuesi i qendrës kërkimore-shkencore. Drejtuesi i njësisë bazë është autoriteti drejtues akademik i asaj njësie dhe e përfaqëson atë.
  2. Drejtuesi i njësisë bazë përzgjidhet nga Dekani, i cili kandidaturën e tij ia kalon për emërim Bordit Drejtues të fondacionit themelues të institucionit.
  3. Drejtuesi i njësisë bazë, si rregull, është personel akademik i kategorisë “Profesor”. Kolegji Universitar “LOGOS”, për rrethana të justifikuara, mund të përzgjedhë si përgjegjës të njësisë  bazë nga personeli akademik me gradë shkencore “Doktor“(“PhD”) të fituar pranë universiteteve të vendeve anëtare të OECD-së ose BE-së. Në rast kur nuk ka kandidat të kësaj kategorie, ai mund të jetë edhe me gradën shkencore “Doktor”.
  4. Mandati i drejtuesit të njësisë bazë zgjat katër vjet, si rregull, me të drejtë ripërzgjedhje vetëm një herë.
  5. Drejtuesi i njësisë bazë, të gjithë propozimet lidhur me hapjen e programeve të reja të studimit, ndryshimet në programet ekzistuese të studimit apo për probleme të fushave të kërkimit shkencor, pas miratimit në asamblenë e stafit akademik të njësisë bazë, ia kalon dekanit për t’ia përcjellë Senatit Akademik të institucionit.
  6. Drejtuesi i njësisë bazë kryen edhe funksione të tjera si:
  7. përzgjedh, midis kandidaturave konkurruese, kandidatët për t’u emëruar si staf akademik me kohë të plotë në njësinë që drejton, apo edhe si staf i angazhuar me kohë të pjesshme në procesin mësimor. Këto kandidatura ia propozon dekanit;
  8. merr masa organizative dhe monitoruese për zhvillimin normal të procesit mësimor dhe kërkimor nga punonjësit e njësisë bazë që ai drejton;
  9. i propozon dekanit anëtarët e komisioneve të provimit të formimit dhe∕ose të mbrojtjes së diplomës për programet që mbulon njësia bazë e drejtuar prej tij;
  10. nxit dhe motivon punonjësit në realizimin efikas të detyrave si në procesin mësimor, ashtu edhe në atë kërkimor-shkencor;
  11. kërkon rishikime dhe përmirësime të programeve të studimit, të kurrikulave dhe të zhvillimit të praktikave profesionale në shoqëri, biznese (SH.P.K, SH.A.) apo/dhe në institucione me marrëveshje të lidhura.

 

Neni 18

Administratori i institucionit

 

  1. Administratori është autoriteti më i lartë administrativ dhe përgjegjës për mirëfunksionimin financiar të institucionit. Ai është përfaqësues ligjor i Kolegjit Universitar “LOGOS” për çështjet financiare dhe administrative, sipas Ligjit Nr. 80/2015.
  2. Administratori duhet të ketë arsim të lartë, së paku në nivelin “Master i shkencave” në fushën e drejtësisë ose ekonomisë dhe përvojë pune së paku shtatë vjet në këto fusha.
  3. Administratori i Institucionit emërohet në detyrë nga Bordi i Administrimit.
  4. Administratori nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër, akademik apo administrativ.
  5. Administratori i raporton për veprimtarinë e tij Bordit të Administrimit dhe Senatit Akademik, përkatësisht për përmbushjen e detyrimeve për probleme financiare e administrative dhe ato në fushën akademike.
  6. Administratori kryen këto funksione kryesore:
  7. harton projektbuxhetin vjetor, mbi bazën e propozimeve të njësive kryesore dhe të njësive bazë, mbështetur në planin strategjik të zhvillimit të institucionit dhe në planin buxhetor e afatmesëm të tij;
  8. propozon kriteret për administrimin e burimeve financiare dhe materiale, të cilat ia paraqet për miratim Bordit të Administrimit dhe mbikëqyr shpërndarjen e zbatimin e tyre;
  9. ndjek dhe kontrollon zbatimin e buxhetit vjetor të Kolegjit Universitar “LOGOS” në strukturat e varësisë së tij;
  10. zbaton të gjitha vendimet e Bordit të Administrimit dhe të Senatit Akademik, me karakter financiar dhe administrativ;
  11. i paraqet Bordit të Administrimit dhe Senatit Akademik raportin mbi veprimtarinë financiare të institucionit, në përfundim të çdo viti akademik;
  12. bashkëpunon me autoritetet dhe strukturat e tjera të institucionit për çështje të administrimit të përditshëm;
  13. emëron dhe shkarkon administratorët e njësive kryesore dhe stafin administrativ dhe ndihmës administrativ. Kjo, në çdo rast me propozim të dekanëve dhe pas miratimit të Bordit të Administrimit;
  14. plotëson kërkesat e rektorit, me qëllim përmbushjen e nevojave akademike, administrative dhe financiare;
  15. funksione të tjera të administratorit të institucionit përcaktohen në Rregulloren e Kolegjit Universitar “LOGOS”. 

Neni 19

Administratori i njësisë kryesore 

  1. Administratori i njësisë kryesore është përgjegjës për mirëfunksionimin financiar dhe administrativ të njësisë kryesore.
  2. Administratori i fakultetit duhet të ketë formim universitar, së paku në nivelin “Master” në fushën e drejtësisë ose ekonomisë, si dhe përvojë pune së paku pesë vjet në këto fusha.
  3. Administratori i njësisë kryesore përzgjidhet midis kandidaturave kërkuese për punësim në këtë post drejtues. Ai emërohet dhe shkarkohet nga administratori i institucionit me miratim të Bordit të Administrimit.
  4. Administratori i njësisë kryesore nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër, akademik apo administrativ.
  5. Administratori i njësisë kryesore, për veprimtarinë e tij i raporton administratorit të institucionit, si dhe informon dekanin për gjithçka lidhur me mbështetjen e procesit mësimor dhe atij kërkimor.
  6. Funksionet kryesore të administratorit të njësisë kryesore janë:
  7. realizon administrimin e përditshëm financiar të njësisë kryesore;
  8. mbikëqyrë dhe kontrollon veprimtarinë financiare të njësisë kryesore;
  9. plotëson kërkesat e dekanit, me qëllim përmbushjen e nevojave akademike, administrative dhe financiare;
  10. bashkëpunon me autoritete të tjera në strukturën e njësisë kryesore, për çështje themelore të administrimit të saj;
  11. të tjera funksione, siç parashikohen në Rregulloren e Kolegjit Universitar “LOGOS”.
  12.  

KREU IV

PERSONELI I INSTITUCIONIT

Neni 20

Personeli i Kolegjit Universitar “LOGOS” 

  1. Personeli i Kolegjit Universitar “LOGOS” përbëhet nga personeli akademik, personeli ndihmës-akademik dhe personeli administrativ.
  2. Personeli mund të jetë i punësuar me kontratë, me kohëzgjatje të caktuar ose të pacaktuar, si edhe me angazhim me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme.
  3. Të drejtat dhe detyrimet e personelit përcaktohen në këtë statut dhe në akte të brendshme, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. 

Neni 21

Statusi i personelit akademik 

  1. Personeli akademik gëzon status dhe trajtim të veçantë, sipas legjislacionit në fuqi.
  2. Aspekte të trajtimit të veçantë, si dhe përfitime të tjera të personelit akademik përcaktohen nga Bordi i Administrimit, konform rregullores së këtij të fundit. 

 

Neni 22

Kategoritë e personelit akademik 

  1. Personeli akademik kryen veprimtari të mësimdhënies, të kërkimit shkencor, shërbime për mbështetje dhe zhvillim të institucionit, këshillim për studentët si dhe veprimtari të tjera.
  2. Personeli akademik mund të jetë me orientim mësimor dhe/ose kërkimor-shkencor. Sipas rolit dhe veprimtarisë që kryen, personeli akademik kategorizohet në:
  3. profesorë;
  4. lektorë;
  5. asistent-lektorë.
  6. Në kategorinë “Profesorë” përfshihen titullarë të lëndëve ose moduleve dhe udhëheqës të veprimtarisë kërkimore-shkencore. Ata mbajnë titujt akademikë “Profesor” ose “Profesor i Associuar” dhe punësohen me kontratë, me të drejtë përsëritje të kontratës.
  7. Në kategorinë “Lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore dhe kërkimore-shkencore, të cilët mbajnë gradën shkencore “Doktor” (“PhD”), të fituar pranë universiteteve të vendeve anëtare të OECD-së ose BE-së, si dhe gradën shkencore“Doktor”, kanë së paku tre vite eksperiencë në mësimdhënie, para ose pas fitimit të kësaj grade, dhe punësohen me kontratë, me të drejtë përsëritje.
  8. Në kategorinë “Asistent-lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-kërkimore, kanë së paku diplomën “Master i shkencave” dhe punësohen me kontratë me kohëzgjatje të caktuar, së paku njëvjeçare, me të drejtë përsëritje.
  9. Ngarkesa mësimore vjetore e stafit akademik caktohet me vendim të Senatit Akademik, sipas kuadrit ligjor në fuqi.

 

Neni 23

Personeli akademik i ftuar 

  1. Njësitë bazë të Kolegjit Universitar “LOGOS” kanë të drejtë të kërkojnë të punësohen me kontratë, për periudha të shkurtra kohe, studiues apo personalitete të fushës, vendas apo të huaj.
  2. Për përzgjedhjen e personelit akademik të ftuar ndërthuren kualifikimet e tyre me nevojën e njësisë bazë për veprimtari mësimdhënieje ose kërkimore-shkencore.
  3. Personeli i ftuar punësohet, rast pas rasti, dhe zhvillimi i mësimit mund të organizohet me kohë të shkurtër sipas një plani të veçantë.

 

Neni 24

Punësimi i personelit akademik 

  1. Kriteret e punësimit të personelit akademik me kohë të plotë përcaktohen nga njësia bazë, bazuar në nevojat e kësaj të fundit dhe miratohen nga rektori. Përzgjedhja e kandidatit drejtohet nga një komision adhoc, i përbërë në shumicë nga njësia bazë përkatëse.
  2. Komisioni adhoc bën renditjen e kandidaturave, ia propozon rektorit dhe ky i fundit jep mendimin e tij për emërimin me kohë të plotë të punonjësit. Vendimin për emërimin e lëshon Bordi Drejtues i Fondacionit themelues të Kolegjit Universitar “LOGOS”.
  3. Personeli akademik që mban titullin “Profesor” shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç, me përjashtim të rastit kur, me kërkesën e tij, largohet nga detyra.
  4. Personeli akademik që mban titullin “Profesor i asociuar” shërben në detyrë deri në moshën 65 vjeç, me përjashtim të rastit kur, me kërkesën e tij, largohet nga detyra.
  5. Personeli akademik i kategorisë “Profesor”, mbështetur në nevojat e Kolegjit Universitar “LOGOS” (sipas kërkesave të njësive bazë) dhe me pëlqimin e tij, mund të shërbejë në detyrën e stafit akademik edhe pas plotësimit të moshës sa pika 3 dhe 4 e këtij neni. Kjo gjë mundësohet përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit dhe të përsëritshme, që institucioni lidh me këtë kategori të personelit akademik.

 

Neni 25

Personeli ndihmës-akademik

  1. Personeli ndihmës-akademik ndahet në personel ndihmës-akademik me karakter mësimor dhe ndihmës-akademik me karakter administrativ.
    • Personeli ndihmës-akademik me karakter mësimor ndihmon në realizimin dhe mbështetjen e veprimtarive të mësimdhënies dhe/ose kërkimit shkencor. Ai bën pjesë në stafin e njësisë bazë dhe shërben për mbështetjen e veprimtarive të kësaj të fundit. Këtu përfshihen laborantët, teknikët etj., sipas përcaktimeve të bëra në aktet e brendshme të institucionit.
    • Personeli ndihmës-akademik me karakter administrativ ndihmon në realizimin dhe mbështetjen e veprimtarive të mësimdhënies dhe/ose të kërkimit shkencor dhe/ose të zhvillimit të institucionit në nivel njësie bazë, njësie kryesore ose në nivel të institucionit. Këtu përfshihet personeli i përcaktuar në aktet e brendshme të institucionit.
  2. Kriteret e punësimit të personelit ndihmës-akademik, me kohë të plotë, propozohen nga njësia të cilës ky personel i shërben, konkursi drejtohet nga një komision adhoc, i përbërë në shumicë nga përfaqësues të njësisë përkatëse.
  3. Rregullat dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit adhoc, si dhe të përzgjedhjes së personelit ndihmës-akademik caktohen në aktet e brendshme të institucionit.

 

Neni 26

Personeli administrativ 

  1. Kategoritë e personelit administrativ dhe nivelet e pagave miratohen nga Bordi i Administrimit.
  2. Punësimi i personelit administrativ bëhet me propozimin e administratorit të institucionit, pas shqyrtimit të kërkesave të bëra nga konkurrentët dhe miratimit/emërimit të tyre nga Bordi Drejtues i Fondacionit themelues të Kolegjit Universitar “LOGOS”. Kriteret e punësimit përcaktohen, rast pas rasti, sipas pozicionit të vendit të punës që kërkohet punësimi.
  3. Procedurat për masat disiplinore janë ato që parashikon Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë dhe Kodi i Etikës së Kolegjit Universitar “LOGOS”. 

 

KREU V

ORGANIZIMI I STUDIMEVE 

Neni 27

Format e studimit dhe pranimi në Kolegjin Universitar 

  1. Format e studimeve universitare janë:
  2. studime me kohë të plotë;
  3. studime me kohë të zgjatur.
  4. Studimet me kohë të zgjatur mund të ofrohen në programet e studimit një deri në dyvjeçare me karakter profesional në programet e ciklit të dytë “Master Profesional”.
  5. Pranimi i studentëve bëhet sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi, në përputhje me standardet shtetërore, të kapaciteteve akademike dhe infrastrukturore. Këto standarde janë të verifikueshme dhe të certifikuara nga ministria përgjegjëse për arsimin. 

Neni 28

Ciklet dhe programet e studimeve 

  1. Kolegji Universitar “LOGOS” ofron programe të studimeve, të organizuara në module dhe të vlerësuara në kredite, në përputhje me Sistemin Europian të Transferimit të Krediteve (ECTS).
  2. Numri i krediteve të grumbulluara gjatë një viti akademik nga një student është 60 kredite.
  3. Programet e studimeve hartohen nga njësitë bazë dhe miratohen nga Senati Akademik.
  4. Kolegji Universitar shpall publikisht programet e studimeve të hapura dhe ato të akredituara, para fillimit të aplikimeve për pranimin e studentëve. 

Neni 29

Programet e ciklit të parë të studimeve 

  1. Programet e ciklit të parë të studimeve organizohen me jo më pak se 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është tre vite akademike.
  2. Studentët në programet e ciklit të parë diplomohen:
  3. me provim të përgjithshëm përfundimtar, ata që nuk arrijnë pragun[1] e notës mesatare; ose
  4. me punim diplome, ata që e arrijnë ose tejkalojnë pragun e notës mesatare dhe bëjnë kërkesë për këtë gjë pranë departamentit.
  5. Në përfundim të programeve të ciklit të parë, studentët pajisen me diplomë “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer. 

Neni 30

Pranimi në ciklin e parë të studimeve 

  1. Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë bëhet i mundur për çdo kandidat:
  2. që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
  3. që plotëson kriteret shtesë të pranimit, në raste kur institucioni ka miratuar të tilla kritere për programe të veçanta studimi që organizohen prej tij.
  4. Kriteret e pikës 1a dhe 1b, shpallen nga institucioni dhe i bëhen me dije zyrtarisht ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe
  5. Në përfundim të afatit të lejuar për regjistrime në çdo vit akademik, Kolegji Universitar “LOGOS” dërgon në QSHA listën e studentëve të regjistruar për t’u administruar në regjistrin kombëtar të studentëve dhe për t’u pajisur me një numër unik matrikullimi (regjistrimi). 

Neni 31

Programet e ciklit të dytë të studimeve 

  1. Cikli i dytë i studimeve në Kolegjin Universitar “LOGOS” përfshin programet e studimit “Master profesional” dhe “Master i shkencave”.
  2. Programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara profesionale në fushën e caktuar. Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Këto studime përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
  3. Programet e studimit “Master i shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si dhe me aftësi për kërkim shkencor në fushën përkatëse. Këto programe organizohen me 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Studimet në “Master i shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.

 

Neni 32

Pranimi në ciklin e dytë të studimeve 

  1. Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve është i mundur për të gjithë ata kandidatë që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të parë dhe që plotësojnë kriteret shtesë të Kolegjit Universitar “LOGOS”, për ato programe që janë caktuar kritere shtesë.
  2. Për programet e studimit në “Master i shkencave”, si kriter pranimi është edhe njohja nga kandidatët e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe spanjisht. Detaje të këtij kriteri sa jepen në Ligjin Nr. 80/2015, neni 76, pika 4, dhe në udhëzimet e lëshuara nga ministria përgjegjëse për arsimin.
  3. Kolegji Universitar “LOGOS”, për studentët që kanë përfunduar studimet në ciklin e dytë “Master profesional” mund të njohë kredite të atij programi, me qëllim transferimin e tyre në programet e studimit “Master i shkencave”.
  4. Në përfundim të afatit të lejuar për regjistrime, çdo vit akademik, Kolegji Universitar “LOGOS” dërgon në QSHA listën e studentëve të regjistruar për t’u administruar në regjistrin kombëtar të studentëve dhe për t’i pajisur ata me një numër unik matrikullimi.

 

Neni 33

Viti akademik dhe organizimi i mësimdhënies 

  1. Studimet në Kolegjin Universitar “LOGOS” zhvillohen në vite akademike, që fillojnë në datën e shpallur nga ministri përgjegjës për arsimin.
  2. Viti akademik organizohet në semestra.
  3. Frekuentimi i procesit mësimor në auditor është i detyrueshëm në masën e përcaktuar në Kodin e Cilësisë dhe Udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin.

 

Neni 34

Transferimi i studimeve, njohja dhe njësimi i periudhave të studimit 

  1. Kolegji Universitar “LOGOS” ofron mundësi për njohjen e krediteve sipas kërkesave për vazhdimin e studimeve si dhe transferimin e studimeve, midis programeve të të njëjtit cikël studimi, brenda këtij kolegji apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë, brenda dhe jashtë vendit.
  2. Periudhat e studimit dhe detyrimet e programeve të studimit, të shlyera në institucione të tjera të vendit ose të huaja, njihen dhe njësohen, nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin, në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm.
  3. Transferimet do të lejohen brenda të njëjtit cikël studimi e në fusha të njëjta ose të përafërta në çdo vit akademik, duke ndjekur udhëzimet e lëshuara për këtë qëllim nga ministri përgjegjës për arsimin.
  4. Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të fituara nga një student që vjen me transferim në Kolegjin Universitar “LOGOS”, i takon komisionit përkatës, të ngritur nga njësia bazë, në shkallë të njësisë kryesore, për programe të veçanta studimi. 

 

Neni 35

Kohëzgjatja e studimeve 

  1. Kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi.
  2. Studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të Kolegjit Universitar “LOGOS”. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të komisionit përkatës të ngritur nga njësia bazë ose në shkallë të njësisë kryesore, sipas kritereve të përcaktuara në rregullore.

 

Neni 36

Lëshimi i diplomave, certifikatave dhe suplementi i diplomës 

  1. Në përfundim të programit të studimit, studenti pajiset me diplomën ose certifikatën përkatëse.
  2. Elementet përbërës të diplomës, forma e saj dhe procedura për regjistrimin, bëhen sipas kudrit ligjor në fuqi.
  3. Diplomat që lëshohen në fund të programeve të studimit të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë shoqërohen me suplementin e diplomës.
  4. Çdo formë diplome dhe certifikate, përpara se të lëshohet nga Kolegji Universitar “LOGOS”, regjistrohet në regjistrin shtetëror të diplomave dhe regjistrin shtetëror të certifikatave për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, që mbahet në QSHA.
  5. Kolegji Universitar “LOGOS”, nuk lëshon dublikatë diplome për asnjë rast apo rrethanë. Ai do të lëshojë vetëm një dokument të barasvlershëm me diplomën në formën e vërtetimit, i cili të përmbajë emrin e Kolegjit Universitar “LOGOS” që ka lëshuar diplomën, numrin e diplomës origjinale, datën e lëshimit të saj, ciklin dhe programin e studimit.
  6. Suplementi i diplomës lëshohet nga Kolegji Universitar “LOGOS”, në përputhje me kërkesat e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë dhe me udhëzimet e ministrisë përgjegjëse për arsimin. Çdo format suplementi i diplomës, për secilin program studimi, do t’i kalohet ministrisë përgjegjëse për arsimin për një certifikim dhe aprovim të tyre.

 

KREU VI

KËRKIMI SHKENCOR

Neni 37

Veprimtaria kërkimore-shkencore 

  1. Kolegji Universitar “LOGOS” kryen veprimtari kërkimore-shkencore të zbatuara, studime, projekte për zhvillim dhe veprimtari të tjera krijuese. Ato synojnë të garantojnë integrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në atë të mësimdhënies.
  2. Veprimtaria kërkimore-shkencore në këtë institucion, synon edhe që të mbështesë zhvillimin e vendit edhe përmes rritjes së cilësisë së përgatitjes së specialistëve në fushat ku ofrohen programe studimi.
  3. Nëpërmjet veprimtarisë kërkimore-shkencore, personeli akademik dhe studentët fitojnë aftësi për kërkime të pavarura në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm profesional dhe të karrierës akademike.
  4. Veprimtaria kërkimore-shkencore e krijuese organizohet dhe zhvillohet në bazë të planeve që hartohen nga struktura të Kolegjit Universitar “LOGOS” dhe ndiqen nga raporte e analiza që kryhen në departamente e deri në Senatin Akademik.
  5. Struktura e kërkimit shkencor në Kolegjin Universitar “LOGOS”, është e ndërtuar në njësitë bazë, në departamente dhe në qendra kërkimore-shkencore.
  6. Veprimtaritë e kërkimit shkencor realizohen mbi bazën e programeve dhe projekteve të miratuara nga Senati Akademik. Këto programe e projekte hartohen nga struktura brenda institucionit, por mund të hartohen edhe nga Kolegji Universitar “LOGOS” në bashkëpunim me institucione të tjera publike ose private, brenda dhe jashtë vendit. 

 

KREU VII

STUDENTËT DHE TË DHËNAT MBI STUDENTËT 

Neni 38

Fitimi, pezullimi dhe humbja e statusit të studentit 

  1. Statusi i studentit fitohet me regjistrimin e tij në Kolegjin Universitar “LOGOS”. Ky status humbet me marrjen e diplomës ose certifikatës përkatëse, si dhe në rastin e çregjistrimit të studentit nga Kolegji Universitar.
  2. Studenti mund t’i pezullojë studimet dhe t’i rifillojë ato, në përputhje me rregullat e përcaktuara në Rregulloren e Kolegjit Universitar “LOGOS”.
  3. Studenti nuk mund të regjistrohet, njëkohësisht, në më shumë se një program studimi në asnjë institucion të arsimit të lartë në të gjithë sistemin e arsimit të lartë. 

Neni 39

Të drejtat dhe detyrimet e studentit 

  1. Studentët kanë të drejtë:
  2. të ndjekin të gjitha veprimtaritë mësimore që zhvillohen në kuadrin e programit të studimit ku ata janë të regjistruar;
  3. të përdorin infrastrukturën që Kolegji Universitar “LOGOS” vë në dispozicion të procesit mësimor, si dhe të përfitojë shërbimet mbështetëse që ofron ky institucion;
  4. të marrin pjesë në proceset e vendimmarrjes së Kolegjit Universitar “LOGOS”, në përputhje me përcaktimet e Ligjit Nr. 80/2015 dhe të këtij statuti;
  5. të shprehin vlerësimin e tyre për cilësinë e mësimdhënies dhe punën e personelit të Kolegjit;
  6. të nënshkruajnë kontratë shërbimi, në momentin e regjistrimit në Kolegjin Universitar “LOGOS”, e cila ka elementet dhe formën që përcaktohen në udhëzimin e ministrit përgjegjës për arsimin;
  7. të sigurohen nga Kolegji Universitar “LOGOS”, në një ndër shoqëritë e sigurimit, për të gjithë kohëzgjatjen e parashikuar të studimeve, për riskun e ndërprerjes së veprimtarisë apo risqe të tjera, sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin e përbashkët të Ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të Ministrit të Financave.
  8. Studentët kanë për detyrë:

a).  të zbatojnë rregullat e përcaktuara nga Kolegji Universitar “LOGOS”;

b).  të respektojnë të drejtat e personelit dhe të drejtat e studentëve të tjerë;

c).  të paguajnë tarifat e përcaktuara nga Kolegji Universitar “LOGOS”;

d).  të respektojnë Kodin e Etikës. 

 

Neni 40

Këshillat e studentëve 

  1. Studentët kanë të drejtë të organizohen në këshilla studentore në nivel të njësisë kryesore, në nivel të Kolegjit Universitar “LOGOS”, si dhe në nivel kombëtar.
  2. Këshillat e studentëve janë organizime të pavarura. Ato nuk zhvillojnë veprimtari politike, as ekonomike dhe promovojnë pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinojnë përfaqësimin e tyre në organet drejtuese të Kolegjit Universitar “LOGOS”.
  3. Këshillat e studentëve zgjidhen çdo dy vjet nga vota e studentëve dhe mbështeten në legjislacionin në fuqi. Mandatet e liruara (kur studenti mbaron studimet apo transferohet, si dhe raste të tjera) plotësohen, për kohën deri në përfundim të mandatit të nisur, nga kandidati pasardhës në renditje për nga numri i votave të grumbulluara në zgjedhjet e fundit.
  4. Modalitetet dhe procedurat për krijimin, organizimin dhe funksionimin e këshillave të studentëve përcaktohen në rregulloren e Kolegjit Universitar “LOGOS” dhe në rregulloret e njësive kryesore përbërëse, në përputhje me këtë Ligj, mbështetur edhe në propozimet e paraqitura nga studentët.
  5. Këshillat e studentëve shprehin mendime dhe bëjnë propozime për të gjitha problemet me interes të përgjithshëm të Kolegjit Universitar “LOGOS” dhe të njësisë kryesore përkatëse, siç janë ato për planet dhe programet e studimeve; për hapjen e programeve të reja; për rregulloret e veprimtarisë mësimore; për cilësinë e shërbimeve; për nivelin e tarifave të shkollimit; për zhvillimin e veprimtarive të ndryshme kulturore, artistike, sportive etj.
  6. Kolegji Universitar “LOGOS” mbështet këshillat e studentëve dhe financon veprimtaritë e tyre nga fondi i caktuar për këto qëllime në buxhetin vjetor të tij. 

 

Neni 41

Dokumentacioni i procesit mësimor 

  1. Kolegji Universitar “LOGOS”është i detyruar nga kuadri ligjor në fuqi të mbajë në formë të shkruar regjistrat e shpërndarë nga ministria përgjegjëse për arsimin, konkretisht:
  2. regjistrin themeltar të studentëve;
  3. regjistrin e arritjeve akademike;
  4. regjistrin e lëshimit të diplomave dhe certifikatave.
  5. Regjistri themeltar i studentëve është dokumenti që vërteton regjistrimin e studentëve në Kolegjin Universitar “LOGOS” dhe:
  6. tregon që çdo student është pajisur me një numër unik matrikullimi, që e mban deri në marrjen e diplomës ose certifikatës;
  7. depozitohet në arkivat e shtetit, sipas kuadrit ligjor në fuqi, ndërsa kopja e njësuar me origjinalin ruhet për gjithë periudhën kohore të ekzistencës së Kolegjit Universitar “LOGOS”, apo vijimësisë së këtij institucioni me emër të ndryshuar;
  8. plotësohet edhe në formë elektronike.
  9. Regjistri i arritjeve akademike është dokumenti që vërteton rezultatet e arritura nga çdo student i regjistruar në Kolegjin Universitar “LOGOS”, sipas programeve të studimit.
  10. Regjistri i arritjeve akademike:
  11. depozitohet në arkivat e shtetit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për arkivat, ndërsa kopja e njësuar me origjinalin ruhet për gjithë periudhën kohore të ekzistencës së institucionit;
  12. plotësohet edhe në formë elektronike.
  13. Regjistri i lëshimit të diplomave dhe certifikatave është dokumenti që vërteton emetimin e tyre nga Kolegji Universitar “LOGOS”. Në këtë regjistër dokumentohet tërheqja e diplomës dhe suplementit të diplomës prej secilit student që ka përfunduar me sukses detyrimet akademike dhe detyrime të tjera institucionale me Kolegjin Universitar “LOGOS”.
  14. Regjistri i lëshimit të diplomave dhe certifikatave:
  15. depozitohet në arkivat e shtetit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për arkivat, ndërsa kopja e njësuar me origjinalin ruhet për gjithë periudhën kohore të ekzistencës së Kolegjit Universitar “LOGOS”;
  16. plotësohet edhe në formë elektronike.
  17. Kolegji Universitar “LOGOS” duhet të plotësojë elementet e regjistrave, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, në përputhje me aktet nënligjore të ministrisë përgjegjëse për arsimin. Dokumentacioni pas plotësimit përfundimtar të tij, depozitohet në arkivat e shtetit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për arkivat. Ndërsa kopja e njësuar me origjinalin ruhet në arkivin e Kolegjit Universitar “LOGOS”, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe Rregulloren e këtij Kolegji. Në rastin e mbylljes së veprimtarisë së Kolegjit Universitar “LOGOS”, regjistrat e tij, sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij neni, dhe çdo dokument tjetër, depozitohen në arkivat e shtetit, sipas kuadrit ligjor për arkivat.

 

Neni 42

Baza e të dhënave të studentëve në Kolegjin Universitar “LOGOS” 

  1. Kolegji Universitar “LOGOS”, ruan të dhënat personale të studentëve.
  2. Proceset e ruajtjes dhe të përpunimit të të dhënave të studentëve prej Kolegjit Universitar “LOGOS” dhe strukturave përbërëse të tij do të kryhen bazuar në parimin e konfidencialitetit dhe në përputhje me kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.

 

 

KREU VIII

SIGURIMI I CILËSISË

Neni 43

Sigurimi i brendshëm i cilësisë 

  1. Kolegji Universitar “LOGOS” është përgjegjës për hartimin e politikave dhe procedurave për sigurimin e brendshëm të cilësisë. Për kryerjen e kësaj detyre, Kolegji Universitar “LOGOS” ngre një strukturë më vete në rang institucioni, që thirret Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë (NjSBC), me përbërje prej pesë anëtarë:
  2. Katër anëtarë janë staf akademik të punësuar me kohë të plotë dhe nuk mbajnë funksione drejtuese;
  3. Një anëtar është student i rekomanduar nga Këshilli Studentor i institucionit.
  4. Kandidaturat përzgjidhen nga rektori, duke u konsultuar me strukturat nga vijnë ato. Miratimi i anëtarëve të NjSBC dhe i kryetarit të saj bëhet nga Senati Akademik.
  5. Njësia e sigurimit të brendshëm të cilësisë ka autonomi operative dhe akses në të gjitha të dhënat e institucionit. Kjo njësi është në varësi direkte të rektorit, përgjigjet para tij dhe Senatit Akademik për përmbushjen e detyrës.
  6. Njësia e sigurimit të cilësisë vlerëson, periodikisht, rezultatet e veprimtarive mësimore dhe kërkimore-shkencore.
  7. Në fund të çdo semestri apo para sezonit të provimeve, NjSBC organizon pyetësorin studentor për cilësinë e mësimdhënies për lëndët e çdo programi studimi.
  8. Njësia e sigurimit të cilësisë kryen studime gjurmuese për të vlerësuar ecurinë e punësimit të studentëve dhe efikasitetin e programeve të ofruara nga Kolegji Universitar “LOGOS”.
  9. Standardet për sigurimin e cilësisë hartohen nga Kolegji Universitar “LOGOS”, në përputhje me Kodin e Cilësisë.
  10. Raportet e vlerësimeve, të kryera nga njësia e sigurimit të brendshëm të cilësisë në Institucion, përdoren edhe si burim për vlerësimin e jashtëm dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë.

 

Neni 44

Sigurimi i jashtëm i cilësisë, akreditimi dhe auditimi i jashtëm 

  1. Bazë për proceset dhe procedurat e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë është dokumenti i Kodit të Cilësisë. Ai përcakton standarde shtetërore të cilësisë, të detyrueshme për zbatim prej çdo institucioni të arsimit të lartë, si edhe për Kolegjin Universitar “LOGOS”.
  2. Kodi i Cilësisë është përgjegjësi dhe detyrë njëherazi për t’u hartuar nga ASCAL, dhe i certifikuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
  3. Kolegji Universitar “LOGOS”, i nënshtrohet vlerësimit dhe akreditimit institucional, si dhe të çdo programi studimi që ofron, në afatet e parashikuara nga Ligji si dhe riakreditimeve brenda afatit kohortë vlefshmërisë së tyre, dhe konkretisht për jo më shumë se gjashtë vjet.
  4. Kolegji Universitar “LOGOS” merr përsipër të përballojë shpenzimet për vlerësimin e jashtëm të cilësisë si dhe akreditimin e institucionit dhe të çdo program-studimi që ofron, sipas tarifave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
  5. Kontrolli dhe auditimi i jashtëm i Kolegjit Universitar kryhet nga auditues të përzgjedhur nga ministria përgjegjëse për arsimin.

 

Neni 45

Vula e Kolegjit Universitar “LOGOS” 

Kolegji Universitar «Logos» ka vulën e vet zyrtare, e cila është e rrumbullakët. Në pjesën e sipërme shkruhet «REPUBLIKA E SHQIPËRISË», dhe poshtë saj «KOLEGJI UNIVERSITAR», në pjesën qendrore fjala «LOGOS», ndërsa në pjesën e poshtme fjala «TIRANË». Vula i bashkëlidhet këtij statuti si “Shtojca II” dhe është pjesë përbërëse e tij. 

KREU IX

DISPOZITA TË FUNDIT  

Neni 46  

Në përputhje me Ligjin Nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe me këtë statut hartohen Rregullorja e Studimeve në Kolegjin Universitar “LOGOS”, rregulloret e njësive në përbërje të këtij Kolegji si rregulloret e organizimit dhe funksionimit të autoriteteve drejtuese, si dhe akte normative të tjera. 

Neni 47

Dispozitat Tranzitore

  1. Studentët e regjistruar në një program studimi prane IAL, Kolegji Universitar “LOGOS”, para hyrjes në fuqi të këtij statuti, do të vazhdojnë studimet e tyre me të njëjtin program studimi për kohëzgjatjen normale të tij.
  2. Dispozitat tranzitore të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për arsimin e lartë, janë të zbatueshme në Kolegjin Universitar “LOGOS” pavarësisht përcaktimeve në këtë Statut.
  3. Dispozitat e statutit që janë në kundërshtim me dispozitat kalimtare të legjislacionit në fuqi, nuk janë të zbatueshme. Këto dispozita të statutit hyjnë në fuqi, në momentin e përfundimit të efekteve ligjore të dispozitave kalimtare, në përputhje me afatet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi. 

Neni 48

Ky Statut u miratua në mbledhjen e Senatit Akademik me Vendim nr_5_, datë  02 Shkurt,  2017. 

Hyrja në fuqi

Neni 49

Ky Statut hyn në fuqi me miratimin e tij nga Ministri përgjegjës për Arsimin, apo me shpallje në rastin e miratimit në heshtje. 

 

R E K T O R I 

Prof.dr. Xhezair TELITI

 

 

 

 

SHTOJCA I

 

SHTOJCA II

Vula e Kolegjit Universitar “LOGOS” 

Shtojca III

Organigrama e Kolegjit Universitar “LOGOS”

 

 

[1] Ky prag i notës mesatare përcaktohet në Rregulloren e Brendshme të Institucionit dhe mund të jetë e diferencuar  për programe studimi.